Kombëtarja e Brazilit po përjeton një moment krizash, pas humbjes shokuese 4-1 përballë Argjentinës. Disfata e rëndë ka tronditur jo vetëm tifozët, por edhe vetë drejtuesit e Federatës, të cilët duket se kanë humbur besimin te trajneri aktual, Dorival Júnior.
Në mediat braziliane po qarkullojnë zëra të fortë për një ndryshim të mundshëm në stolin e “Seleção”-s, ku emri i Carlo Ancelottit rikthehet sërish në skenë. Trajneri italian është përmendur edhe më parë si opsion për drejtimin e Brazilit, por këtë herë duket se interesimi është më konkret.
Burime pranë Federatës zbulojnë se synohet një takim me Ancelottin në javët në vijim. Megjithatë, çdo lëvizje e mundshme mbetet e kushtëzuar nga angazhimi i tij aktual me Real Madridin, ku ai nuk pritet të largohet përpara përfundimit të sezonit.
Ndërkohë, situata te Brazili mbetet e tensionuar. Humbja me rivalët e përjetshëm ka lënë pasoja të thella dhe ka vënë në dyshim ecurinë e trajnerit Dorival, i cili nuk ka arritur të krijojë identitet në lojën e skuadrës.
Përplasjet në media dhe opinionin publik janë të shumta, me shumë ish-lojtarë dhe analistë që kërkojnë ndryshime të menjëhershme përpara se të jetë vonë për projektin drejt Kupës së Botës.
Federata e Futbollit të Brazilit duket e vendosur për të sjellë një emër të madh në drejtimin e kombëtares, dhe Ancelotti shihet si njeriu i duhur për t’i dhënë skuadrës qetësinë, autoritetin dhe eksperiencën që i mungon aktualisht.
Për momentin, gjithçka mbetet në fazën e kontakteve të para, por tensioni në rritje dhe kërkesa për një ndryshim rrënjësor mund ta përshpejtojnë këtë proces në muajt e ardhshëm.