Borxh me ombrellë europiane: 64.5 milionë euro për Shqipërinë, jo të gjitha dhuratë

Shqipëria ka përfituar një paketë financiare prej 64.5 milionë eurosh nga Bashkimi Europian, por pas buzëqeshjeve të ceremonive zyrtare dhe deklaratave optimiste, fshihet një realitet më kompleks: një pjesë e mirë e këtyre fondeve janë kredi, jo dhurata.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se fondet ndahen në dy pjesë: 30 milionë euro shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit për të mbështetur reformat kombëtare, ndërsa 34 milionë euro të tjera do të kalojnë përmes Fondit të Investimeve për Ballkanin për projekte infrastrukturore. “Kjo është një tjetër dëshmi e qartë e rrugës së shpejtë të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE,” u shpreh Rama.

Por realiteti nuk është kaq i thjeshtë. Komisioni Europian e ka thënë qartë: bëhet fjalë për kredi koncesionare. Nga totali, vetëm 10 milionë euro janë grante – pra fonde të pakthyeshme. Pjesa tjetër, plot 54.5 milionë euro, janë kredi që Shqipëria duhet t’i shlyejë. Këto përfshijnë 30 milionë euro për mbështetje buxhetore dhe 24 milionë të tjera për investime përmes BIF-it.

Ky është vetëm fillimi. Brenda vitit 2027, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë deri në 922.1 milionë euro kredi në kuadër të programit “Reformë dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”, me kusht që të zbatojë reforma në drejtësi, energji të rinovueshme, digjitalizim, kapital njerëzor dhe zhvillim ekonomik.

Së bashku me Shqipërinë, edhe Maqedonia e Veriut mori pagesën e parë në masën 7% të totalit të akorduar. E njëjta shumë u lëshua edhe për Tiranën. Serbia është në radhë për të marrë pagesën e parë, ndërsa Kosova ende nuk ka miratuar marrëveshjen e huasë në Kuvend, duke e shtyrë afatin e përfitimit.

Në këto kushte, entuziazmi për “mbështetjen” europiane duhet të lexohet me kujdes. Pas termave diplomatikë dhe fjalimeve politike, qëndron një marrëveshje kredie që, megjithëse e butë në kushte, mbetet borxh për buxhetin shqiptar.

Pra, më shumë se një fitore diplomatike, kemi të bëjmë me një angazhim financiar që kërkon kthim. Një tjetër faqe në librin e borxheve, këtë herë me logo të BE-së në krye.

Ndaj Postimin: