Ndeshja e Shqipërisë ndaj Andorrës, e vlefshme për fazën kualifikuese, mund të ketë kaluar pa shumë peshë në aspektin rezultativ, por ajo solli me vete një sërë zhvillimesh të pazakonta që u bënë objekt diskutimi në opinionin sportiv dhe përtej tij. Nga tribuna deri në fushë, përballja e së hënës u shënua nga tensione, mungesë entuziazmi dhe vendime surprizuese.
Një nga zhvillimet më të komentuara ishte protesta e grupimeve të organizuara të tifozëve përpara ambjenteve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ata shprehën pakënaqësinë për mënyrën si u trajtuan në shpërndarjen e biletave, duke pretenduar se iu ishte mohuar sektori tradicional ku qëndrojnë zakonisht. Pavarësisht kësaj, “Tifozat Kuq e Zi” u futën në stadium dhe protestuan simbolikisht duke e braktisur sektorin për 15 minuta, një formë reagimi e parë shpesh edhe në stadiumet italiane.
Një tjetër “çudi” ishte ulja në stol e Jasir Asanit, një nga elementët më të dalluar të Kombëtares në ndeshjet e fundit. Vendimi i Silvinjos për të mos e aktivizuar që nga minuta e parë habiti tifozët dhe ngjalli dyshime për ndryshime në hierarki brenda skuadrës.
Në fushë, megjithatë, Kombëtarja nuk u shfaq në lartësinë që e ka karakterizuar muajt e fundit. Loja ishte e vakët dhe mungesa e intensitetit ishte evidente, ndoshta edhe për shkak të faktit që ndeshja nuk kishte rëndësi për renditjen. Kjo ka bërë që shumë të pyesin: çfarë ndodhi me pasionin dhe motivimin që kishte karakterizuar skuadrën gjatë epokës Silvinjo?
Ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim në këto muaj, stadiumi “Air Albania” nuk ishte i mbushur plot. Tribuna karshi, veçanërisht kati i parë, kishte boshllëqe të mëdha, pavarësisht se bileta kushtonte 10 mijë lekë të reja. Një ndryshim i ndjeshëm në krahasim me atmosferën elektrizuese të ndeshjeve të mëparshme.
Ndërkohë, gjithçka ndodhi në prag të një përballjeje shumë më të rëndësishme: duelit me Serbinë. Pakënaqësitë, ndryshimet në formacion dhe pakësimi i entuziazmit nuk janë sinjale inkurajuese për një ndeshje që kërkon unitet dhe përqendrim maksimal.
Federata dhe stafi teknik do të kenë shumë për të analizuar, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në menaxhimin e marrëdhënies me tifozët dhe atmosferën përreth ekipit. Sepse kur në fushë ka paqartësi dhe jashtë saj ka zëra proteste, Kombëtarja rrezikon të humbasë më shumë sesa thjesht tre pikë.