Njohja zyrtare e pavarësisë së Kosovës nga shteti afrikan i Kenias ka nxitur reagime të ashpra nga Beogradi. Serbia e ka cilësuar këtë veprim si një “akt armiqësor” dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike” për t’iu kundërvënë vendimit.
Ministria e Jashtme serbe ka dalë me një deklaratë të fortë, ku akuzon Kenian për “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” dhe për “cenim të drejtpërdrejtë” të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila, sipas tyre, konfirmon sovranitetin e Serbisë mbi territorin e Kosovës.
Përveç rezolutës së OKB-së, Serbia pretendon se Kenia ka shkelur edhe Kartën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa shton se njohja e Kosovës nga Nairobi “minon përpjekjet për dialog, dëmton stabilitetin rajonal dhe sfidon rendin juridik ndërkombëtar”.
Në deklaratën e saj, Serbia shpreh gjithashtu shqetësim për faktin që Kenia ka përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që në vitin 2010 e cilësoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës si të ligjshme. Beogradi e quajti këtë referencë “të pabazuar” dhe paralajmëroi se vendimi do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet dypalëshe me Kenian.
Duke synuar të forcojë qëndrimin e saj në arenën ndërkombëtare, Serbia theksoi në fund të reagimit se gjatë tetë viteve të fundit, “28 shtete kanë tërhequr ose pezulluar njohjen e Kosovës”, ndërsa vetëm “dy shtete të reja” e kanë njohur pavarësinë e saj.
“Shumica e qartë e bashkësisë ndërkombëtare, ligji dhe drejtësia janë në anën e Serbisë,” thuhet në deklaratë, ku shtohet se Beogradi do të vazhdojë të mbrojë integritetin territorial “me të gjitha mjetet diplomatike dhe juridike në dispozicion”.
Reagimi i ashpër i Serbisë pritet të pasohet nga lëvizje në diplomacinë ndërkombëtare, në një kohë kur çështja e Kosovës mbetet një pikë e nxehtë e politikës rajonale dhe globale.