Mirela Kumbaro dhe Belinda Balluku në samitin e COP29 në Baku në kohën kur më shumë mbetje hyjnë në Shqipëri.

Shqipëria po përgatitet të prezantojë modelin e saj për mbrojtjen e mjedisit përmes energjisë së rinovueshme gjatë Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29), që po zhvillohet në Baku, Azerbajxhan.

Në këtë forum ndërkombëtar, ku marrin pjesë dhjetëra liderë botërorë, Shqipëria ka në plan të shfaqë shembullin e saj për mbrojtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë.

Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ndanë disa nga pikat kyçe që do të diskutojnë në konferencë. Balluku theksoi se Shqipëria do të prezantojë strategjinë e saj për diversifikimin e energjisë, duke kaluar nga burimet hidroenergjetike në ato solare dhe të erës. “Shqipëria do të ketë prezantim në të gjitha panelet ku diskutohet për energjinë e rinovueshme për të dhënë shembullin e saj më të mirë,” shprehet Balluku, duke nënvizuar rëndësinë e këtij forumi për ndarjen e eksperiencës dhe mësimeve të nxjerra.

Nga ana tjetër, Ministrja Kumbaro theksoi se Shqipëria, si një vend që nuk ndot mjedisin, mund të ofrojë një model të qëndrueshëm për energjinë dhe biodiversitetin. “Shqipëria nuk është vend ndotës. Të gjithë prodhimin e energjisë e kemi nga burime të rinovueshme, duke e bërë vendin tonë një shembull të denjë për ta ndarë në COP29,” thekson Kumbaro. Ajo përmendi gjithashtu rëndësinë që i është dhënë mbrojtjes së parkut të lumit Vjosa, i cili mbetet lumi i fundit i egër në Europë dhe një model unik i ruajtjes së natyrës.

Por kohët e fundit, Shqipëria e ka rritur importin e mbetjeve të rrezikshme, duke ngritur shqetësime dhe protesta.

Konferenca COP29 po vendos tone për diskutime dypalëshe dhe një prej synimeve kryesore të këtij viti është arritja e një marrëveshjeje për Objektivin e Ri Kolektiv të Kuantifikuar (NCQG), që pritet të jetë një plan ambicioz për financimin e klimës. Shqipëria po kontribuon me perspektivën e saj në përpjekjet globale për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të promovuar veprime të qëndrueshme.

Ndër nismat e propozuara nga presidenca e COP29 përfshihen iniciativa që mbështesin zhvillimin e energjisë së gjelbër, hidrogjenit të pastër, ruajtjes së energjisë dhe reduktimit të metanit. Shqipëria, përmes përvojës së saj, synon të jetë një zë konstruktiv në këto tema, duke nxitur më tej përkushtimin ndaj ruajtjes së mjedisit dhe burimeve të qëndrueshme të energjisë.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera