Rama takohet me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe në samitin e COP29.

Kryeministri Edi Rama është takuar mbrëmë me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed, në Baku, Azerbajxhan, gjatë qëndrimit të tij për Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29).

Takimi mes liderëve vuri në fokus projektet e përbashkëta që pritet të forcojnë dhe modernizojnë sektorin publik në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e përshkroi Sheikh Muhammed Bin Zayed si një mik të veçantë të Shqipërisë, duke theksuar se diskutuan për disa projekte që janë në fazat e tyre të para të zbatimit. Mes këtyre nismave janë krijimi i kompanive të përbashkëta publike për prodhimin e energjisë, një sipërmarrje e përbashkët mes KESH dhe kompanisë Mazdar, si dhe zhvillimi i një sistemi të ri digjital për kontrollin e trafikut ajror.

Rama nënvizoi gjithashtu rëndësinë e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Italisë, një projekt i rëndësishëm që do të realizohet përmes një partneriteti tripalësh dhe që synon të forcojë integrimin energjetik të vendit. Projektet e përbashkëta dhe teknologjia e re do të ndihmojnë jo vetëm modernizimin e sektorit publik, por gjithashtu avancimin e Shqipërisë drejt qëndrueshmërisë energjetike.

COP29 është një forum ku priten të zhvillohen diskutime të rëndësishme mbi financimin e klimës, me qëllimin kryesor të këtij viti të arrijë një marrëveshje për një Objektiv të Ri Kolektiv të Kuantifikuar (NCQG). Kjo marrëveshje ambicioze pritet të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për mbrojtjen e klimës dhe të gjenerojë fonde të domosdoshme për të mbajtur ngrohjen globale nën kufirin prej 1.5°C.

Në axhendën e COP29 përfshihen katërmbëdhjetë nisma për klimën, të cilat do të mbështesin përpjekjet globale për zhvillim të qëndrueshëm dhe energji të gjelbër. Ndër to janë avancimi i hidrogjenit të pastër, ruajtja e energjisë së gjelbër, reduktimi i emetimeve të metanit nga mbetjet organike dhe promovimi i zgjidhjeve digjitale për një të ardhme të qëndrueshme.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera