Ndihmat për Gazën më të ulëtat që nga dhjetori, katastrofë humanitare.

Ndihmat për Gazën kanë rënë në nivelet më të ulëta që nga dhjetori, me vetëm 8,805 tonë ushqime të mbërritura këtë muaj përmes pikave të kontrollit izraelite, sipas të dhënave zyrtare.

Ky fluks i reduktuar i ndihmave vjen pavarësisht presionit nga autoritetet amerikane, të cilat kanë vendosur një ultimatum për Izraelin: të rrisë dërgesat e ndihmave brenda 30 ditëve ose të përballet me sanksione.

Afati për plotësimin e kërkesave amerikane skadon këto ditë, dhe SHBA-ja ka paralajmëruar se mund të kufizojë furnizimet me armë për Izraelin nëse dërgesat e ndihmave nuk shtohen, sipas raportimeve të “The Guardian”. Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë njoftuar zgjerimin e një “zone humanitare” për të ndihmuar popullsinë e zhvendosur nga bregdeti gjatë dimrit dhe për të lehtësuar mbipopullimin. Pavarësisht këtij hapi, Izraeli duket se nuk ka zbatuar kërkesat e përmendura në letrën e dërguar nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Situata humanitare në Gaza përshkruhet si “apokaliptike” nga zyrtarët e ndihmës. Shumë më tepër se 80% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur, dhe mbi dy të tretat e ndërtesave janë dëmtuar rëndë ose shkatërruar gjatë konfliktit të gjatë 13-mujor. “Pothuajse asgjë nuk vjen më,” tha një zyrtar i OKB-së. “Ushqimet bazë mungojnë, dhe edhe nëse ke para, nuk ka asgjë për të blerë. Të gjithë janë përsëri të uritur.”

Izraeli vendosi një bllokadë të plotë ndaj Gazës në fillim të konfliktit, por gradualisht ka lehtësuar kufizimet pas presionit ndërkombëtar. Megjithatë, dërgesat e ndihmave, të cilat arritën kulmin në maj me mbi 117,000 tonë ushqime të dërguara nga mbi 6,000 kamionë, tani janë reduktuar në mënyrë drastike.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera