AKSH-i monopol i “Soft and Solution”, Ermal Beqiri i fiton të gjitha tenderat.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po përballet me shqetësime të mëdha për një strukturë monopoliste, ku tenderat e saj përfundojnë pothuajse gjithmonë në duart e të njëjtës kompani.

Në një treg që teorikisht duhet të promovojë konkurrencë, thuajse të gjithë tenderat e zhvilluar nga AKSHI janë marrë nga kompania Soft & Solution, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri. Bëhet fjalë për miliarda lekë të shpenzuara në tendera pa garë, duke krijuar një klimë ku fituesi është gjithmonë i paracaktuar.

Rasti më i fundit ishte tenderi prej 5 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës së çelësave publikë, i cili përfundoi sërish në duart e kompanisë Soft & Solution. Kjo përbën një tjetër shembull që përforcon dyshimet se procedurat prokuruese në AKSHI janë kthyer në formalitete, pasi rezultati i tyre është i njohur që në nisje. Jo vetëm që Soft & Solution përfiton shumicën dërrmuese të tenderave, por në rastet kur nuk është direkt fituese, shpeshherë bashkëpunëtorët e saj, si kompania Fastech, janë ato që marrin tenderin.

Revista Kapitali publikoi një tabelë të detajuar me të dhënat zyrtare të tenderave të realizuar nga AKSHI nga janari deri në ditët e sotme. Sipas këtyre të dhënave, gjatë këtij viti janë zhvilluar tendera me vlerë totale 34.9 milionë euro, nga të cilat 28.1 milionë euro janë fituar nga Soft & Solution, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes bashkëpunimeve. Kjo përbën 80% të buxhetit total të prokuruar, duke e bërë këtë vitin me përqendrimin më të lartë të tenderave në një kompani të vetme në historinë e shtetit shqiptar.

Me këtë shkallë përqendrimi të tenderave, AKSHI duket se ka kaluar nga një institucion publik në një strukturë që duket se ka për qëllim të kanalizojë fondet publike drejt një entiteti të vetëm. Ky “one man show” i AKSHI-t ka ngritur pyetje serioze mbi transparencën dhe qëllimin e përdorimit të fondeve publike, duke lënë pak hapësirë për konkurrencë reale dhe ndarjen e drejtë të resurseve buxhetore.

Kapitali i alokuar për projekte që teorikisht duhet të përmirësojnë teknologjinë dhe infrastrukturën e shërbimeve publike duket se ka vetëm një përfitues. Pa marrë parasysh arsyet, shifrat flasin vetë dhe tregojnë një situatë alarmante: fondet publike duket se shkojnë gjithnjë në një drejtim të vetëm.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera