Zhamë Fshat – Nis betonimi i rrugës drejt varrezave

Ka nisur puna për shtrimin me beton të rrugës që të çon drejt varrezave të Zhamë Fshat, në Njësinë Administrative Dushk. Investimi, i financuar nga Bashkia Lushnjë dhe i realizuar nga Ndërmarrja e Pasurisë Publike, përfshin një segment prej rreth 400 metrash me gjerësi 3 metra.

Edhe pse një ndërhyrje në dukje modeste, ky investim ka një rëndësi të veçantë për banorët e zonës, pasi lehtëson aksesin drejt varrezave dhe përmirëson ndjeshëm infrastrukturën lokale. Me këtë ndërhyrje përmbyllet një tjetër projekt për rehabilitimin e segmenteve rrugore në Njësinë Administrative Dushk.

Punimet u inspektuan nga kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, e shoqëruar nga drejtori i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike, Elson Zeka, si dhe administratori i Njësisë Administrative Dushk, Bruno Vrapi. Sipas drejtuesve vendorë, ky investim është pjesë e angazhimit për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Lushnjë.

Bashkia thekson se projektet për zhvillimin e infrastrukturës vijojnë në çdo rajon dhe njësi administrative, duke synuar përmirësimin e kushteve të jetesës dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.

Kamera e TV Apollon ishte në Zhamë Fshat, ku ndoqi nga afër ecurinë e punimeve. Gjatë inspektimit, kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, dha edhe një intervistë për mikrofonin e TV Apollon, ku foli mbi rëndësinë e këtij investimi dhe projektet e tjera që pritet të realizohen në vijim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033