U zhvillua mbrëmjen e sotme, në sheshin qendror të qytetit Fier, aktiviteti artistik “Nën Yje”, një mbrëmje që bëri bashkë artistë, aktorë, poetë, muzikantë dhe dashamirës të artit në një atmosferë të ngrohtë e plot emocion.
Nën qiellin me yje, mes një dekori të veçantë, artdashësit përjetuan një mbrëmje ku poezia, tingujt e violinës, kitarës dhe serenatat u ndërthurën natyrshëm, duke krijuar një hapësirë frymëzimi, komunikimi dhe bashkimi përmes artit.
“Nën Yje” ishte një aktivitet artistik që afroi njerëzit, artistët dhe publikun në një mbrëmje ku secili pati mundësinë të ndajë emocionet, vargjet dhe dashurinë për muzikën e poezinë.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Kalendarit Artistik Veror 2026, të organizuar nga Drejtoria e Artit, Kulturës & Turizmit, Bashkia Fier, me synimin për t’u dhënë jetë hapësirave publike dhe për ta kthyer qytetin në një skenë të hapur arti gjatë sezonit veror.