Zgjedhjet e 11 Majit/ Rama mbledh drejtuesit politikë, fokus në diasporë dhe angazhimin për fushatën

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë mëngjes në selinë e Partisë Socialiste drejtuesit politikë të partisë. Sipas burimeve, takimi ka pasur në fokus zgjedhjet e 11 majit dhe rolin që do të luajë diaspora në këto zgjedhje.

Ky takim është zhvilluar në kuadër të përgatitjeve të mazhorancës për fushatën elektorale, që pritet të nisë pas disa javësh. Rama ka kërkuar angazhim maksimal nga drejtuesit politikë, duke theksuar rëndësinë e afrit të diasporës, jo vetëm për t’u regjistruar në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por edhe për t’u angazhuar si mbështetës të PS, përmes votës.

Sipas informacioneve të siguruara, Kryeministri ka nënvizuar se diaspora është një faktor kyç për fitoren e PS në zgjedhjet e ardhshme. Pjesëmarrja e diasporës në procesin zgjedhor do të ndikojë ndjeshëm në rezultatin final, dhe ky është një element që mazhoranca po përpiqet ta maksimalizojë.

Në këtë kuadër, Rama ka kërkuar nga drejtuesit politikë që të mobilizojnë sa më shumë anëtarë të diasporës për t’u regjistruar në sistemin e KQZ-së dhe për të kontribuar me votat e tyre në favor të PS. Kryeministri ka theksuar se është e domosdoshme që të krijohet një lidhje më e ngushtë me qytetarët jashtë vendit, për të garantuar një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje.

Përgatitjet për fushatën elektorale, që do të nisë së shpejti, janë në një fazë të avancuar. Takimet e tilla, ku kërkohet një angazhim i shtuar, janë pjesë e strategjisë për të mobilizuar çdo mundësi për të siguruar fitoren. Në këtë kontekst, diaspora paraqitet si një potencial i papërdorur ende në masën e duhur, dhe kjo është një temë e diskutuar vazhdimisht në takimet e brendshme të PS.

Për më tepër, mbështetja e diasporës është një nga elementët që do të synohet me intensitet në muajt e ardhshëm, duke pasur parasysh ndikimin që ata mund të kenë në zgjedhje, si në aspektin e pjesëmarrjes, ashtu edhe në mbështetje përmes votës.

Ndaj Postimin: