Kandidati për kancelar nga unioni CDU/CSU, Friedrich Merz, ka shpallur ambicien për të formuar një qeveri të re federale deri në festën e Pashkëve.
Ai theksoi se për të arritur këtë qëllim ka më pak se tetë javë kohë. “Mendoj se kjo periudhë është e mjaftueshme për të formuar një qeveri funksionale”, u shpreh Merz gjatë një deklarate në Berlin. Aktualisht, Gjermania po drejtohet nga një qeveri pa shumicë parlamentare që nga muaji nëntor, pas largimit të partisë FDP nga koalicioni qeveritar.
Merz përshkroi situatën si një ngërç të thellë politik dhe shprehu shpresën se Gjermania mund të dalë shpejt nga kjo krizë. “Kjo është një situatë që kërkon zgjidhje urgjente dhe shpresoj që procesi të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ai.
Ndërkohë, kancelari aktual Olaf Scholz ka theksuar se nuk do të marrë pjesë në negociatat për formimin e qeverisë, nëse ato do të zhvillohen mes SPD-së dhe Unionit CDU/CSU. Ai e bëri të qartë se, edhe pse ka kandiduar për postin e kancelarit, ai nuk është i interesuar të marrë ndonjë post tjetër në një qeveri që drejtohet nga CDU/CSU.
Për më tepër, Scholz shprehu se nuk do të ishte pjesë e grupit negociator të SPD-së për një koalicion të mundshëm, duke theksuar se nuk ka dëshirë të përfshihet në një qeverisje që nuk e udhëheq ai personalisht.
Në një zhvillim tjetër, kryetari i partisë liberale FDP, Christian Lindner, njoftoi tërheqjen e tij nga politika pas disfatës elektoralë të partisë që ai drejtonte. Lindner e cilësoi rezultatin e zgjedhjeve si një humbje të rëndë për FDP-në dhe shpalli një fillim të ri për Gjermaninë. Ai shprehu mirënjohje për pothuajse 25 vite angazhim politik dhe sfida të përballuara, duke vendosur të tërhiqet nga jeta politike aktive.
Për më tepër, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilësoi rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani si një “ditë të madhe” për këtë vend. Në një postim në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, Trump tha se si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Gjermani, populli kishte arritur në një pikë kulminante të lodhjes nga politika e energjisë dhe emigracionit që kishte dominuar agjendën për shumë vite. Ai shprehu mbështetje për ndryshimet që po ndodhin në Gjermani dhe për një mundësi të re për këtë vend.