Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka kritikuar ashpër qeverinë e drejtuar nga “Rilindja”, duke e akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Në një postim në Facebook, Vasili ka publikuar fjalën e tij në Kuvend, ku theksoi se “rilindasit” janë duke grabitur pasuritë e shqiptarëve dhe mashtrojnë pa u lodhur, duke sjellë dëm të madh për vendin.
Vasili i referohet disa projekteve të mëdha infrastrukturore si Bypasi i Vlorës, Rruga e Arbërit, Rruga Qukës-Qafë Plloçë, Porti i Durrësit dhe Tuneli i Llogarasë, të cilat janë shpenzuar me qindra milionë euro, por sipas tij, këto projekte nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme dhe vazhdojnë të gllabërojnë fonde shtesë. “Po bëjnë rrugë që hapen dhe mbyllen, ndërsa projektet e tjera që janë të papërfunduara kanë marrë qindra milionë euro”, tha Vasili.
Ai e theksoi faktin se ndërsa paratë e shëndetësisë janë hequr dhe investimet janë kanalizuar në projekte të diskutueshme, vendi vazhdon të humbasë fonde të mëdha. Ai kritikoi gjithashtu heqjen e taksave për pronarët e hoteleve të luksit dhe humbjen e të ardhurave për shtetin, duke thënë se kjo është një politikë që dëmton ekonominë e vendit.
“Rilindasit heqin paratë nga shëndetësia dhe i hedhin në rrugë për t’i vjedhur, ndërkohë që taksat për profesionet e lira që mezi mbijetojnë janë shtuar. Kjo është një grabitje e pashembullt,” theksoi Vasili. Ai gjithashtu e akuzoi qeverinë për të zgjeruar afatet ligjore për investitorët e dyshimtë, duke mundësuar kështu pastrimin e parave të korrupsionit.
Në fjalimin e tij, Vasili kritikoi edhe investimet e shpallura për hekurudhën, e cila sipas tij ka një kosto prej 77 milionë eurosh, ndërkohë që për këtë projekt janë marrë borxhe të mëdha dhe janë shpenzuar miliarda euro për koncesione dhe tendera që nuk kanë sjellë asnjë rezultat të prekshëm.
Në fund, Vasili bëri thirrje të fortë për një ndëshkim të qeverisë nga populli nëpërmjet votës. Ai e cilësoi “horrllëkun e Rilindjes” si të papërballueshëm dhe kërkoi që ky abuzim me pasuritë e vendit të marrë fund. Vasili theksoi se është koha që shqiptarët të ndëshkojnë me votë çdo formë korrupsioni dhe keqmenaxhimi nga qeveria.