Vllaznia pritet të zbresë në fushë me disa ndryshime në formacion për përballjen e së premtes ndaj Teutës, duke kërkuar të lërë pas humbjen e fundit në kampionat.
Pas disfatës ndaj Egnatias, trajneri Brdariç po shqyrton alternativa të reja për të përmirësuar lojën dhe rezultatet e ekipit.
Një nga ndryshimet kryesore pritet të jetë rikthimi i Ardit Krymit në formacionin titullar, pasi mesfushori është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi. Ky vendim mund të çojë në uljen në stol të Amir Kahrimanoviç dhe Ardit Deliut, me këtë të fundit që ende nuk ka arritur të bindë plotësisht stafin teknik me paraqitjet e tij.
Një tjetër dilemë e madhe për Brdariç është reparti i mbrojtjes, veçanërisht partneri i Stojanoviçit në qendër të prapavijës. Me Bajramin të skualifikuar për shkak të kartonëve, trajneri duhet të gjejë një zëvendësues të denjë për të mbuluar boshllëkun në mbrojtje.
Gjithashtu, trajneri po shqyrton edhe pozicionin e krahut të majtë. Çoba ka mbuluar këtë rol në javët e fundit, por rikthimi i Jagos, i cili tregoi një paraqitje pozitive në minutat e tij ndaj Egnatias, ka krijuar dilema për përzgjedhjen e formacionit titullar.
Stafi teknik është i përqendruar në gjetjen e ekuilibrit të duhur për ndeshjen ndaj Teutës, një përballje që konsiderohet vendimtare për rikthimin e skuadrës në rrugën e rezultateve pozitive. Brdariç do të marrë vendimin përfundimtar pas seancës së fundit stërvitore, ku do të vlerësojë formën e lojtarëve.
Sfida ndaj Teutës shihet si një mundësi për Vllazninë që të tregojë reagim dhe të rikthehet te fitorja. Me disa ndryshime në formacion dhe një qasje më të kujdesshme taktike, shkodranët synojnë të marrin maksimumin në transfertën e vështirë durrsake.
One Response
Hello apollon.tv Webmaster