Sulmuesi shqiptar i Besiktas, Ernest Muçi, ka folur për mediat në prag të sfidës së Europa League ndaj Twentes, duke theksuar rëndësinë e një paraqitjeje të fortë dhe objektivin e ekipit për të shkuar sa më larg në këtë kompeticion.
I pyetur për performancën e tij të fundit, Muçi theksoi se motivimi është çelësi i suksesit. “Nuk ka të bëjë vetëm me mua, çdo lojtar në skuadër duhet të japë më të mirën në çdo ndeshje. Ky është një proces ku të gjithë duhet të punojmë së bashku për të arritur sukses,” u shpreh ai.
Sulmuesi shqiptar pranoi se përballja me Twenten do të jetë ndryshe nga ajo ndaj Atletik Bilbaos. “Kjo do të jetë një sfidë tjetër. Luajmë jashtë fushe dhe duhet të marrim kontrollin e lojës. Motivimi ynë nga ndeshja me Bilbaon duhet të mbetet i njëjtë, por ajo ndeshje i përket së kaluarës. Tani duhet të fokusohemi te sfida e radhës,” tha Muçi.
Ai pranoi se në futboll nuk është e lehtë të ruash vazhdimësinë dhe se ka gjithmonë ulje-ngritje. “E rëndësishme është që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë të punojmë fort. Çdo ndeshje është një mundësi e re për t’u përmirësuar dhe për të treguar forcën tonë si ekip,” shtoi sulmuesi.
Muçi gjithashtu theksoi ambiciet e tij personale dhe ato të Besiktas për këtë sezon. “Kam ëndrra dhe objektiva të qarta. Dua të fitoj çdo trofe me këtë klub dhe e di që e njëjta gjë vlen edhe për ekipin. Jemi të përqendruar për të arritur sa më shumë në Europa League,” deklaroi ai.
Me një trajner të ri në krye, Besiktas synon të vazhdojë përmirësimin dhe të luftojë për trofetë. “Shpresojmë të arrijmë objektivat tona me të dhe të tregojmë që jemi një ekip i madh,” përfundoi Muçi, duke shprehur besimin e tij për suksesin në këtë edicion të Europa League.