Një rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit është goditur nga Policia e Tiranës, pas një operacioni të mirëorganizuar nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
Operacioni i koduar “LAST DRIVE II” u finalizua në Kamëz, ku u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasit E. C., 29 vjeç, banues në Krujë. I riu nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi më parë rezulton i dënuar për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja e forcave të rendit u krye mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se 29-vjeçari po qarkullonte me armë zjarri në automjet me qëllim trafikimin e saj.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë. bashkë me mjetin dhe një aparat celular.
Më tej, gjatë kontrollit të detajuar të ushtruar në banesën e të arrestuarit në Krujë, uniformat e pluta gjetën dhe sekuestruan edhe një armë gjahu pa leje me 50 fishekë, si dhe një bllok shënimesh ku dyshohet se mbaheshin shënime për shuma të ndryshme parash.