Turistët e huaj mund të cilësohen si “kurnacë”, por shifrat tregojnë një tjetër realitet. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, të huajt që vizituan Shqipërinë shpenzuan një rekord prej 2.38 miliardë eurosh.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e shtetasve të huaj për udhëtime u rritën me 13.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar për një gjashtëmujor të parë që prej viteve ’90.
Rritja e të ardhurave lidhet edhe me numrin në rritje të vizitorëve. Sipas INSTAT, në gjashtë muajt e parë të vitit në Shqipëri hynë rreth 5.1 milionë shtetas të huaj, 6.2% më shumë se një vit më parë.
Pas një fillimi më të dobët për shkak të kushteve të motit, fluksi turistik u rrit në muajt në vijim. Maji shënoi rritje prej 16%, ndërsa në qershor ritmi u ngadalësua në 1.8%.
Kosovarët vijojnë të jenë grupi më i madh i vizitorëve të huaj, duke përbërë rreth një të tretën e hyrjeve, ndërsa pas tyre renditen italianët me rreth 11%.
Mesatarisht, një turist i huaj ka shpenzuar në Shqipëri rreth 470 euro gjatë gjashtëmujorit, nga 440 euro një vit më parë.
Por edhe shqiptarët kanë shpenzuar më shumë jashtë vendit. Në gjashtë muajt e parë të vitit, shpenzimet e tyre për udhëtime jashtë arritën në 1.4 miliardë euro, me një rritje prej 9.5%.
Rreth 4.2 milionë dalje të shtetasve shqiptarë u regjistruan gjatë kësaj periudhe, ndërsa shpenzimi mesatar për person ishte rreth 340 euro.
Pavarësisht rritjes së shpenzimeve jashtë, bilanci mbetet në favor të Shqipërisë. Diferenca mes parave që të huajt shpenzuan në vend dhe atyre që shqiptarët lanë jashtë ishte 957 milionë euro.
Një rekord i ri për turizmin, që tregon se Shqipërisë i mbetet gjithnjë e më shumë valutë nga vizitorët e huaj dhe se sektori vijon të jetë një nga burimet kryesore të të ardhurave në ekonomi.