Testi i ri i gjakut: Shpresë për diagnostikimin e hershëm të demencës në Mbretërinë e Bashkuar

Në Mbretërinë e Bashkuar po zhvillohet një analizë e re gjaku që mund të ndryshojë mënyrën se si diagnostikohen pacientët me demencë.

Ky test premton të identifikojë shenjat e hershme të sëmundjes, duke mundësuar trajtim të shpejtë dhe përdorimin e ilaçeve që mund të ngadalësojnë përparimin e saj. Një hap kyç në luftën kundër një sëmundjeje që preokupon miliona njerëz në botë.

Një nga pjesëmarrësit e parë në këtë studim është Stephanie Everill, e cila ka filluar të vërejë vështirësi në kujtesën e saj. “Nuk mbaj mend asgjë. Thjesht ka ikur memorja,” shprehet ajo, duke përshkruar vështirësitë që po kalon. Zonja Everill, 67 vjeç, u diagnostikua me humbje të kujtesës (MCI) një vit më parë, dhe dëshiron të kuptojë më shumë për gjendjen e saj për të marrë masa të shpejta.

Nëna e Stephanie-t kishte vuajtur nga sëmundja e Alzheimerit, dhe ajo po ndjek të njëjtën rrugë, duke shpresuar të zbulojë më shpejt se çfarë po ndodh me shëndetin e saj. Disa skanimet spitalore sugjerojnë se gjendja e saj mund të jetë në fazën e hershme të Alzheimerit, megjithatë, ajo ende nuk ka marrë një diagnozë përfundimtare.

Studimi “Sfida e Biomarkerit të Gjakut”, që është duke u realizuar në Universitetin e Oksfordit, përdor testimin e gjakut për të kërkuar shenja të ndryshimeve që lidhen me demencën. Mostrat e gjakut do të analizohen për proteinat dhe treguesit që lidhen me sëmundjen, një metodë që mund të revolucionarizojë diagnostikimin e demencës.

Profesoresha Vanessa Raymon, drejtuese e studimit, thekson se ky test mund të identifikojë pacientët që mund të përfitojnë nga trajtimet e reja që janë në zhvillim. “Shumë barna të reja janë duke u zhvilluar dhe mund të licencohen në vitet e ardhshme. Këto barna mund të jenë shumë efektive për ata që kanë nivele të hershme të dëmtimit të kujtesës,” shpjegon ajo.

Ilaçet e reja si Leqembi dhe Kisunla, të cilat mund të ngadalësojnë përkeqësimin e simptomave të Alzheimerit, janë të efektshme vetëm në fazat e hershme të sëmundjes. Prandaj, një diagnostikim i saktë dhe në kohë mund të jetë çelësi për përfitimin nga këto trajtime.

Profesoresha Fiona Carragher, drejtoreshë e politikave dhe kërkimeve në Shoqatën e Alzheimerit, thekson se ky test i gjakut mund të ndryshojë mënyrën se si mjekët diagnostikojnë demencën. “Demenca është shkaku kryesor i vdekjeve në Britani, dhe rreth një e treta e personave nuk diagnostikohen. Testi i gjakut mund të luajë një rol kyç në këtë proces,” shprehet ajo.

Sipas Shoqatës së Alzheimerit, rreth një milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar vuanin nga një formë e demencës në vitin 2024. Sëmundja paraqet një krizë të madhe shëndetësore dhe sociale për vendin, duke theksuar rëndësinë e identifikimit të hershëm dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve.

Ndaj Postimin: