Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është pritur nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Donald Trump dhe njëkohësisht Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Sipas njoftimit zyrtar, takimi është përqendruar në mundësitë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si edhe në rolin e ri të Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes, një iniciativë e ndërmarrë nga administrata amerikane.
Ministrja Spiropali ka vlerësuar përfaqësimin e Shqipërisë në këtë iniciativë përmes Kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ky angazhim e ripozicionon vendin si një aktor aktiv në çështjet e sigurisë dhe paqes ndërkombëtare, si dhe forcon më tej bashkëkoordinimin me Shtetet e Bashkuara, të cilat ajo i ka cilësuar si aleatin historik të Shqipërisë.
Gjatë bisedës me Charles McLaughlin, palët kanë ndarë bindjen se Bordi i Paqes nuk do të mbetet një strukturë simbolike, por do të funksionojë si një Bord Veprimi, i orientuar nga parime konkrete për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme të konflikteve.
Spiropali ka bërë të ditur gjithashtu se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA-së edhe si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), në përputhje me planin 20 pikësh të Presidentit Trump për Gazën. Sipas ministres, ky angazhim reflekton rolin e Shqipërisë si një vend që kontribuon në eksportimin e stabilitetit dhe sigurisë.
Në kuadër të takimit, Ministrja e Jashtme ka konfirmuar gatishmërinë e Tiranës zyrtare për zhvillimin e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik Shqipëri–SHBA. Ky proces synon të thellojë bashkëpunimin dypalësh në sektorë me interes të përbashkët, përfshirë ekonominë, tregtinë, energjinë dhe zhvillimin.
Vizita dhe takimi në Shtëpinë e Bardhë vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara po shënojnë një intensifikim të bashkëpunimit politik dhe strategjik në arenën ndërkombëtare.