Një kompani izraelite, e identifikuar si ADC, ka marrë lejen për ndërtimin e qendrës së parë të të dhënave (datacenter) në Shqipëri, një investim me vlerë rreth 100 milionë euro. Projekti do të realizohet në Zonën e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik (TEDA), e cila po ndërtohet në Kashar nga Bashkia e Tiranës.
Qendra e të dhënave do të ndërtohet në një zonë tregtie të lirë pranë Tiranës dhe do të bazohet në procesorë grafikë Robin të Nvidia. Kapaciteti fillestar i objektit parashikohet të jetë 32 megavat, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavat, në varësi të kërkesës dhe fazave të ardhshme të zhvillimit.
ADC është në pronësi të përbashkët të kompanisë kibernetike dhe informatike Happy Technologies, e cila zotëron 80 për qind të aksioneve, dhe kompanisë konsulente të qendrave të të dhënave DIT, me 20 për qind. Happy Technologies është në pronësi të Roi Shaposhnik, Noam Frank, Shlomi Avni dhe Itai Melchior, ndërsa DIT drejtohet nga Zvika Friedman, Nir Poltorak dhe Dan Carmi.
Leja e ndërtimit është miratuar brenda një periudhe prej 60 ditësh. Objekti do të ngrihet në një sipërfaqe prej 1.8 hektarësh tokë qeveritare, me një opsion shtesë prej 1.3 hektarësh, brenda zonës TEDA, e cila ndodhet në perëndim të Tiranës dhe është ende në proces ndërtimi.
Infrastruktura bazë e komunikimit dhe energjisë elektrike është përgatitur paraprakisht. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke ndërtuar një nënstacion elektrik të dedikuar për projektin, ndërsa Kompania Kombëtare e Energjisë Elektrike do të furnizojë objektin me energji të gjelbër, të prodhuar nga burime hidroelektrike.
Sa i përket financimit, ADC ka siguruar një linjë kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila mbulon 75 për qind të kostos totale të projektit. Ende pa përfunduar ndërtimi, qendra e të dhënave ka siguruar tre klientë kryesorë: një kompani shqiptare të teknologjisë, një kompani gjermane të magazinimit të të dhënave dhe një institucion të qeverisë shqiptare, identiteti i të cilit nuk bëhet publik.
Sipas sipërmarrësve, fokusi i rritjes në fazat e ardhshme do të jetë tërheqja e klientëve evropianë dhe amerikanë që kërkojnë qendra përpunimi të inteligjencës artificiale të mbështetura nga energjia e gjelbër. Në këtë kuadër, qendrat e të dhënave në Evropë po shihen gjithnjë e më shumë si alternativë ndaj atyre në Shtetet e Bashkuara, ku zhvillimi i infrastrukturës energjetike dhe i datacenter-ave po përballet me kufizime.
Projekti vjen në një kontekst të afrimit të ndjeshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit gjatë dy viteve të fundit. Ky bashkëpunim është forcuar veçanërisht pas sulmit kibernetik të vitit 2022 në Tiranë, pas të cilit Shqipëria nisi përdorimin e teknologjive izraelite të sigurisë kibernetike për mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.
Gjatë periudhës së konfliktit në Lindjen e Mesme, marrëdhëniet mes dy vendeve njohën një tjetër intensifikim, me Shqipërinë që u pozicionua hapur si një nga mbështetëset më të afërta të Izraelit në Evropë. Kryeministri Edi Rama vizitoi Izraelin në kulmin e luftimeve dhe, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dënoi Hamasin dhe mbajti simbolin e gjilpërës së verdhë për lirimin e pengjeve.
Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, kompania Elbit Systems nënshkroi një kontratë për furnizimin e ushtrisë shqiptare me sisteme artilerie dhe dronë, duke konsoliduar më tej bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe teknologjisë.