Një skandal i madh ka shpërthyer në tregun shqiptar të ushqimeve, pasi janë zbuluar 7.8 ton fileto pule të kontaminuara me salmonelë, të importuara nga Brazili. Mishi i pulës, i importuar nga kompania AMG FOOD, e drejtuar nga biznesmeni Mond Goxha, ka mbërritur në Shqipëri dhe ka rrezikuar shëndetin e shumë konsumatorëve. Goxha ka shpërndarë 2.6 ton të këtij produkti në 154 biznese në të gjithë vendin, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Pas zbardhjes së këtij skandali, autoritetet shqiptare kanë shpallur alarmin për mishin e paketuar “Copacol”, me datë skadence 13.12.2026, duke kërkuar nga marketet dhe dyqanet që të ndalonin menjëherë shitjen dhe të kthenin mallit që ndodhej ende në frigoriferët e tyre. Konsumimi i këtij produkti mund të shkaktonte infeksione të rënda brenda 8 deri në 72 orë pas konsumimit, duke përbërë një rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve.
Por, pavarësisht këtij alarmi dhe rrezikut të madh, disa markete në Shqipëri vijojnë të shesin mishin e kontaminuar. Një qytetare ka denoncuar se në një market, i cili është ende duke shitur mishin me salmonelë, produktet nuk janë tërhequr dhe as nuk janë asgjësuar, pavarësisht kërkesave të autoriteteve.
Ajo shprehet se ky market nuk ka bërë kthimin mbrapsht të produktit të kontaminuar, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve shqiptarë. “Po shesin mishin që mund të jetë shkaktari i infeksioneve serioze,” thotë ajo. Ky lloj mishi duhet të ishte asgjësuar menjëherë, por duket se akoma vazhdon të jetë në frigoriferët e disa dyqaneve, duke sfiduar autoritetet dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Nëse ndodh një tragjedi, pas konsumimit të këtij mishi të kontaminuar, autoritetet mund të thonë se “po hetohet rasti”, por qytetarët janë të vetëdijshëm se pas kësaj, çështja mund të mbyllet, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë. Kjo situatë tregon një herë tjetër se kontrolli i ushqimeve dhe siguria e konsumatorëve mbeten një sfidë e madhe në Shqipëri.
Ky skandal ka nxitur reagime të forta dhe shqetësim të madh në opinionin publik, duke i bërë qytetarët të dyshojnë për aftësinë e autoriteteve për të mbrojtur interesat e shëndetit të tyre. Vetëm një veprim i shpejtë dhe i vendosur nga AKU mund të parandaloje pasoja të mëtejshme dhe të sigurojë që ky skandal të mos kalojë në heshtje.