Shqipëria renditet mbi mesataren e rajonit për tokën e punueshme, me 21.6% të sipërfaqes totale.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2023, vendi pozicionohet në vendin e 50-të në botë, duke lënë pas shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në rajon, Shqipërinë e kalon vetëm Serbia, me 31% të territorit dhe vendin e 29-të në renditjen globale. Më pas vjen Maqedonia e Veriut, me 16.5%, Bosnjë-Hercegovina me 7.2% dhe Mali i Zi me vetëm 0.7%. Pra, Shqipëria ka rreth tre herë më shumë tokë të punueshme në raport me territorin se Bosnjë-Hercegovina dhe mbi 30 herë më shumë se Mali i Zi.

Në nivel botëror kryeson Bangladeshi, me 60.6%, i ndjekur nga Danimarka me 59.1%. Ukraina dhe Moldavia kanë nga 56.8%, ndërsa India 51.8%.

Toka e punueshme përfshin sipërfaqet me kultura të përkohshme, livadhet për kositje apo kullotje, kopshtet dhe tokat përkohësisht djerrë. Ky tregues mat përqindjen ndaj territorit total, jo sasinë absolute të tokës bujqësore apo prodhimin ushqimor.

Dallime të mëdha vërehen edhe mes rajoneve të botës. Në Azinë Jugore, India ka 51.8% tokë të punueshme dhe Pakistani 39.3%, falë fushave pjellore dhe sistemeve të mëdha lumore. Ndërsa në Lindjen e Mesme, rreth 92% e rajonit arab është hiper-arid, duke e bërë mungesën e ujit një pengesë kryesore për bujqësinë.

Megjithatë, përqindja e tokës së punueshme nuk përcakton vetë sigurinë ushqimore dhe as nivelin e zhvillimit ekonomik. Në renditje gjenden si vende me të ardhura të ulëta, si Burundi dhe Malawi, ashtu edhe ekonomi të zhvilluara europiane, si Danimarka, Hungaria dhe Lituania.

Në fund, gjeografia përcakton potencialin për kultivim, ndërsa teknologjia, ujitja, kapitali dhe produktiviteti përcaktojnë vlerën ekonomike që një vend arrin të nxjerrë nga toka e tij.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033