Enkelejda Veliu është zgjedhur kryetare e re e degës së Partisë Demokratike në Fier, pas përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit të votave, të zhvilluar ditën e shtunë, më 7 nëntor. Veliu ka fituar garën me një diferencë të ngushtë prej vetëm katër votash ndaj kandidatit Ardian Ferro.
Sipas rezultatit përfundimtar, Enkelejda Veliu ka marrë 196 vota, ndërsa Ardian Ferro 192 vota. Në garë për drejtimin e degës së PD-së në Fier ishin gjithsej pesë kandidatë. Fatjon Semanjaku siguroi 137 vota, Festim Meta 154 vota dhe Gentian Koçi 151 vota.
Në procesin e votimit morën pjesë 834 anëtarë të Partisë Demokratike, ndërsa tetë vota rezultuan të pavlefshme dhe një tjetër e dëmtuar.
Zgjedhjet u zhvilluan sipas parimit “një anëtar, një votë”, ndërsa procesi në Fier u shoqërua edhe me debate dhe kontestime brenda strukturave të partisë, kryesisht lidhur me listat e anëtarësisë dhe organizimin e zgjedhjeve.
Pas shpalljes së rezultatit, Veliu falënderoi demokratët për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar nevojën për më shumë punë dhe bashkëpunim në riorganizimin e degës.
Zgjedhja e Enkelejda Veliut shënon gjithashtu një moment të veçantë për Partinë Demokratike në Fier, pasi për herë të parë drejtimin e kësaj dege e merr një grua.