Alarm për ujin e pijshëm në Vlorë/ Analizat zbulojnë ndotje fekale, të prekur fëmijë dhe të rritur

Alarm për cilësinë e ujit të pijshëm në Vlorë, ku analizat e kryera në depozitën e kopshtit nr. 10 kanë evidentuar prani të ndotjes fekale. Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Vlorës raportohet për shtim të pacientëve me simptoma diarreje, mes tyre fëmijë dhe të rritur.

Situata raportohet se është bërë shqetësuese pas rasteve të fëmijëve që janë paraqitur në spital me probleme shëndetësore, pas konsumimit të ujit në një kopsht të qytetit. Sipas informacioneve të siguruara, analizat e mostrave të marra nga depozita e ujit në këtë institucion kanë konstatuar fillimisht prani të amoniakut dhe mungesë të klorit, ndërsa rezultatet e fundit kanë evidentuar edhe përmbajtje fekale.

Sipas të dhënave, NJVKSH Vlorë po monitoron rrjetin e ujësjellësit dhe po kryen analiza çdo dy orë. Ndërsa uji i marrë drejtpërdrejt nga rrjeti ishte raportuar i pastër në analizat e mëparshme, rezultatet e marra nga depozita e kopshtit kanë ngritur shqetësime për cilësinë e tij.

Deri më tani, qytetarët presin sqarime nga institucionet përgjegjëse nëse uji i furnizuar në qytet është i sigurt për konsum dhe çfarë masash do të merren për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shëndetin.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033