Në qarkun e Gjirokastrës, ku janë konfirmuar katër vatra të sëmundjes së antraksit, e njohur ndryshe si “plasja”, te bagëtitë. Rastet janë identifikuar në zona të Gjirokastrës dhe Përmetit, ndërsa autoritetet veterinare kanë nisur menjëherë zbatimin e masave për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Specialistët veteriner paralajmërojnë se antraksi nuk prek vetëm kafshët, por mund të transmetohet edhe te njerëzit përmes kontaktit me kafshët e infektuara ose konsumimit të mishit dhe qumështit të tyre. Për këtë arsye, veterinerët u bëjnë thirrje blegtorëve të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë dhe të shmangin përdorimin e produkteve me origjinë nga kafshë të sëmura.
Sipas ekspertëve, sporet e bakterit të antraksit janë jashtëzakonisht rezistente dhe mund të mbijetojnë në tokë për dekada, madje deri në 50 vjet, duke bërë që zonat ku sëmundja është shfaqur më parë të mbeten burim i mundshëm infeksioni.
Autoritetet po monitorojnë situatën në terren dhe kanë shtuar kontrollet veterinare në zonat e prekura, me synim kufizimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Ndërkohë, qytetarëve u kërkohet të blejnë produkte shtazore vetëm në pika të licencuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.