Situata mjedisore në aksin rrugor Lushnjë–Berat mbetet problematike. Pavarësisht kronikave të transmetuara më herët nga TV Apollon, përgjatë këtij segmenti, që përfshin edhe Njësinë Administrative Fiershegan, vijojnë të hidhen mbetje plastike dhe thasë me mbeturina në anë të rrugës.
Pamjet tregojnë dhjetëra bidonë plastikë dhe mbetje të shpërndara në të dyja anët e aksit, duke krijuar një panoramë të shëmtuar dhe ndotëse. Fenomeni bëhet edhe më i dukshëm gjatë kësaj periudhe, kur barishtet janë tharë dhe mbetjet plastike bien menjëherë në sy.
Ky është një nga akset më të frekuentuara, sidomos gjatë sezonit turistik, pasi lidh Lushnjën me Beratin, një nga qytetet që vizitohet çdo ditë nga turistë vendas dhe të huaj. Megjithatë, imazhi i krijuar nga grumbujt e mbeturinave bie ndesh me pritshmëritë për një mjedis të pastër dhe mikpritës.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë për pastrimin e zonës dhe shtimin e kontrolleve ndaj personave që ndotin mjedisin. Ndërkohë, autoritetet kanë apeluar vazhdimisht që mbeturinat të mos hidhen në anë të rrugëve, duke kujtuar se ndotësit, kur identifikohen, janë subjekt i masave administrative sipas legjislacionit në fuqi.
Mbrojtja e mjedisit mbetet një përgjegjësi e përbashkët, ndërsa pastrimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i këtij aksi mbetet një domosdoshmëri për të garantuar një imazh dinjitoz për banorët dhe vizitorët.