Në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës u zhvillua një ndeshje miqësore mes KF Lushnjës dhe KF Bylisit, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Takimi shërbeu si një test i rëndësishëm për të dy skuadrat, ndërsa stafi teknik pati mundësinë të vlerësojë gjendjen e futbollistëve dhe afrimet e reja.
Ekipi lushnjar u paraqit me një grup të përbërë kryesisht nga futbollistë të rinj, të moshave 16 deri në 19 vjeç, të dalë nga akademia e klubit. Në pankinë skuadra u drejtua nga Mikel Spaho, ndërsa në fushë u aktivizuan edhe dy futbollistë në provë, Brajan nga Nigeria dhe Lila, i ardhur nga ekipet e moshave të Kavajës.
Nga ana tjetër, Bylisi i drejtuar nga tekniku Ergys Luga u shfaq më i konsoliduar në lojë. Ballshiotët krijuan raste të shumta dhe arritën të shënojnë dy herë në pjesën e parë, duke e mbyllur fraksionin e parë të lojës në avantazh 2-0.
Në tribunën e stadiumit ishte i pranishëm edhe trajneri Dorjan Bubeqi, i cili, sipas burimeve pranë klubit, pritet të nënshkruajë në ditët në vijim kontratën me presidenten e KF Lushnjës, njëherazi kryetaren e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, për të marrë drejtimin e skuadrës verdhejeshile në sezonin e ri.
Edhe pse Lushnja këtë sezon do të garojë në Kategorinë e Dytë, pas rënies nga Kategoria e Parë, tribunat e stadiumit ishin të mbushura me sportdashës lushnjarë, të cilët vazhdojnë të besojnë te rikthimi i ekipit në elitën e futbollit shqiptar. Akademia mbetet baza kryesore e projektit të klubit, me shumë të rinj që synojnë të bëhen pjesë e ekipit të parë.
Në pjesën e dytë Lushnja u shfaq më kërkuese dhe provoi disa herë të ngushtonte rezultatin, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës. Bylisi administroi me qetësi avantazhin dhe në përfundim fitoi takimin miqësor me rezultatin 2-0.
Pavarësisht humbjes, kjo ndeshje ishte një provë e vlefshme për skuadrën lushnjare, e cila vijon përgatitjet me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe për t’u rikthyer sa më shpejt në Kategorinë e Parë.