“Resort në tokat e grabitura”, banorët e Rrjollit kundërshtojnë projektin e Bashkim Ulajt

Banorët e fshatit Rrjoll, në Velipojë, janë përplasur me policinë gjatë protestës kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë, për të cilin ata pretendojnë se po ndërtohet në tokat e tyre.

Protestuesit kanë tentuar të bllokojnë rrugën Shëngjin–Velipojë si formë proteste, pas rikthimit të fadromave dhe makinerive për ndërtimin e resortit.

Banorët pretendojnë se po u vidhet prona dhe theksojnë se fillimi i punimeve është i paligjshëm, pasi konflikti mbi pronësinë është ende në proces gjyqësor.

Ndërkohë, në mars të vitit të kaluar, banorët depozituan gjithashtu një padi në SPAK kundër këtij ndërtimi.

Projekti për ndërtimin e një fshati turistik, që përfshin vila dhe hotele luksoze, i është dhënë biznesmenit Bashkim Ulaj dhe shtrihet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks–Rrjoll.

Kjo situatë ka shkaktuar tension dhe përplasje të vazhdueshme mes banorëve dhe forcave të policisë gjatë protestave.

Përfaqësues të rreth 60 familjeve protestuan edhe ditën e hënë. Ata deklarojnë se toka u është grabitur përmes dokumentacionit të falsifikuar. Gjatë protestës, policia shoqëroi disa persona.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033