Policia Rrugore e Elbasanit ka njoftuar se për shkak të punimeve që do të kryhen në aksin rrugor “Librazhd–Korçë”, në zonën e fshatit Dragostunjë, qarkullimi i automjeteve do të bllokohet përkohësisht gjatë orëve të natës.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi do të zbatohet nga data 3 shkurt 2026 deri më 5 shkurt 2026, në intervalin kohor nga ora 22:00 deri në 05:00. Gjatë këtij orari, aksi rrugor do të jetë i pakalueshëm për të gjitha mjetet, veçanërisht për automjetet e tonazhit të rëndë.
Autoritetet bëjnë me dije se për këtë situatë janë njoftuar edhe pikat e kalimit kufitar, me qëllim informimin e drejtuesve të mjeteve që përdorin këtë aks.
Gjatë kohës së bllokimit do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe automjetet e Policisë.
Si rrugë alternative për mjetet e vogla është përcaktuar aksi “Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh”, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Ky bllokim vjen vetëm pak ditë pas një shembjeje masive gurësh dhe dherash në zonën e Dragostunjës, e cila bllokoi qarkullimin në këtë aks për disa orë.