Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy m’sy”, iu përgjigj komentuesve që ngritën shqetësime mbi korrupsionin dhe gjendjen e spitaleve në Shqipëri.
Ai theksoi investimet e mëdha në sektorin shëndetësor, duke përmendur ndërtimin e 53 spitaleve të reja dhe 400 qendrave shëndetësore, për të përmirësuar shërbimin dhe infrastrukturën shëndetësore.
Rama u shpreh se Shqipëria trashëgoi një sistem shëndetësor të vjetër, me spitale të ndërtuara që në vitet ’60 dhe pajisje mjekësore të skaduara. Ai përmendi kushte të vështira për pacientët, me shtretër të vjetër, mjekim të pamjaftueshëm dhe ambiente spitalore që nuk plotësonin as standartet më minimale. Sipas tij, ky sistem është ndërruar me investime masive që kanë përfshirë ndërtimin e spitaleve dhe rinovimin e qendrave shëndetësore.
“Po çfarë të them? Si të them? Spitale ke bërë, por janë kot?! Nuk e kuptoj si mund të jenë kot?!”, tha Rama, duke reaguar ndaj kritikave që aludonin për dështimin e projekteve. Ai theksoi se 53 spitale të reja janë ndërtuar, ndërsa 43 spitale të vjetra janë shembur dhe rinovuar plotësisht sipas standardeve europiane.
Rama solli në vëmendje përpjekjet e qeverisë për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore, duke përfshirë blerjen e pajisjeve të reja, rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, si dhe investime për 320 automjete urgjence. Sipas tij, Shqipëria ka bërë një hap të madh përpara, duke ofruar shërbime mjekësore dhe kirurgjikale që deri më parë ishin të pamundura.
Në lidhje me planin për të ardhmen, Kryeministri shpalli se dy spitale ultra-moderne do të ndërtohen gjatë mandatit të katërt qeverisës, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara dhe një strukturë spitalore të nivelit më të lartë nga Italia. Këto spitale do të mundësojnë trajtimin e rasteve të komplikuara dhe do të bëjnë të mundur që qytetarët shqiptarë të marrin shërbime të avancuara mjekësore pa qenë nevoja të udhëtojnë jashtë vendit.
Përfundimisht, Rama theksoi se këto reforma dhe investime janë pjesë e një vizioni afatgjatë për Shqipërinë, që synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030. Ai i kujtoi komentuesve se “qentë do të lehin shumë fort deri në 11 maj, por karvani do të shkojë përpara” dhe Shqipëria do të vazhdojë të ecë përpara në realizimin e objektivave të saj.