Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, gjatë një deklarate në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrim, theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një objektiv i patundur për vendin.
Spiropali nënvizoi se ky proces ka mbështetje të plotë në Parlament, me një konsensus të vazhdueshëm mes mazhorancës dhe opozitës për realizimin e tij.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali e cilësoi integrimin në BE si një projekt të përbashkët për të gjithë rajonin. Ajo theksoi se ky proces është një mundësi për të bashkuar vendet e Evropës që aktualisht ndodhen jashtë familjes evropiane dhe për t’i integruar ato brenda një bashkësie të natyrshme dhe të nevojshme.
“Jemi bashkë për të përballuar sfidat drejt anëtarësimit në BE. Integrimi në BE është projekt i përbashkët i rajonit. Ky proces nuk është zgjerim, por përfshirje e vendeve që janë aktualisht jashtë BE-së dhe që e kanë një identitet evropian të natyrshëm,” tha Spiropali. Ajo theksoi gjithashtu se pranimi i Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate do të sjellë një afrimitet të natyrshëm të kufijve dhe forcimin e lidhjeve mes shteteve të Evropës.
Spiropali shprehu bindjen se Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të rajonit, ka një rrënjë të fortë, një kulturë dhe trashëgimi evropiane që i bën ata pjesë të natyrshme të familjes evropiane. “Prej Evropës, Shqipëria dhe rajoni janë shkëputur vetëm nga perandoritë dhe diktaturat. Çdo herë që Shqipëria ka qenë e lirë, ka zgjedhur Evropën,” shtoi ajo.
Kryetarja e Parlamentit përmendi gjithashtu se Shqipëria nuk ka një plan B përveç Bashkimit Evropian. “Shqipëria ka vetëm një plan, dhe ai është Bashkimi Evropian. Ky është një qëndrim i përbashkët mes shumicës dhe pakicës në Kuvend. Edhe kur nuk bien dakord për detaje të kalendarit, të gjithë janë në një mendje për destinacionin Evropian të Shqipërisë,” përfundoi Spiropali.
Duke theksuar unitetin politik për këtë proces, Spiropali bëri thirrje që të vazhdohet me përpjekjet për realizimin e këtij qëllimi, duke siguruar që Shqipëria të mbetet e angazhuar në rrugën e saj të integrimit evropian.