Nga “parajsa në ferr”, ky mund të përshkruhet më së miri rrugëtimi i Sergio Conceiçao-s në krye të Milanit.
Pasi e nisi aventurën e tij me një Superkupë të shkëlqyer, magjia e atij suksesi filloi të venitet me kalimin e kohës. Ekipi i Milanit pati një fillim të vështirë në kompeticionet ndërkombëtare, me Feyenoord që i eliminon nga Champions League, dhe tani, gjithashtu, po kalon një rënie dramatike në kampionatin italian. Në “Dall’Ara”, Bologna e mundi Milanin në një ndeshje të përmbysur që i largon akoma më shumë kuqezinjtë nga objektivi i arritjes së një vendi në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Gjatë ndeshjes, të dy ekipet ishin të kujdesshëm dhe nuk prodhuan shumë mundësi shënimi. Megjithatë, në minutën e 43-të, Rafa Leao realizoi një gol fantastik, duke kaluar Milanin në avantazh me një aksion personal. Por, në pjesën e dytë, ndeshja mori një tjetër rrjedhë. Bologna u zgjuan dhe reaguan fuqishëm. Fillimisht, Castro barazoi shifrat në minutën e 48-të, pas një aksioni që shkaktoi protesta të forta nga Conceiçao dhe nga të gjithë futbollistët e Milanit për një prekje të topit me dorë në zonën e ekipit të tij.
Por Bologna nuk mjaftohet me kaq, dhe në minutën e 82-të, Ndoye realizoi golin e dytë, duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë një fitore të rëndësishme skuadrës së tij. Ky rezultat i mundësoi Bolognas të kalojë Milanin në klasifikim, duke e ngritur në vendin e 6-të me 44 pikë, tre më shumë se kuqezinjtë që vazhdojnë të shihen gjithnjë e më larg objektivit të tyre, Champions League. Sipas La Gazzetta dello Sport, kjo humbje e Milanit është “makth” dhe do të jetë një tjetër hap prapa për ambiciet e ekipit.
Pas ndeshjes, Sergio Conceiçao nuk e ka pritur mirë këtë humbje dhe reagoi ashpër në konferencën për shtyp. Ai theksoi se kishte një faull të pastër me dorë në golin e parë të Bolognas, ndërsa për golin e dytë, ai besonte se topi kishte dalë jashtë para se të kalonte në rrjetë. Megjithatë, ai u shpreh se nuk dëshironte të fajësonte vetëm arbitrin për humbjen. “Sigurisht, nuk është vetëm arbitri fajtor, jam unë i pari që duhet të marr përgjegjësinë. Por këto janë gjëra që po ndodhin shpesh”, tha ai.
Trajneri i Milanit nuk ngurroi as të fliste për të ardhmen e tij. “Çdo ditë flitet për situatën time dhe kjo nuk është e drejtë. Unë jam i qetë, pasi situata është e thjeshtë: nëse dikush më thotë që nuk i duhem më, bëj gati valixhet dhe iki. Nuk dua asnjë euro më shumë”, deklaroi Conceiçao, duke lënë të kuptohet se mund të largohet nga skuadra nëse situata nuk përmirësohet.