Partia Agrare Ambjentaliste i bashkohet protestës kundër mbetjeve toksike në Durrës.

Nënkryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), z. Neshat Ndreu, u bashkua sot me protestuesit në Durrës për të kundërshtuar kthimin e mbetjeve toksike në Shqipëri.

Qytetarët kanë dalë për të shprehur shqetësimin e tyre, duke bërë thirrje për një zgjidhje të sigurt dhe të përgjegjshme për mjedisin.

Sipas informatave, një anije po udhëton drejt Durrësit duke sjellë sërish 102 kontejnerë me mbetje toksike, të cilat ishin eksportuar në gusht drejt Tajlandës. Por, për shkak të bllokimeve të ndryshme, këto mbetje po rikthehen në portin shqiptar.

Kurum dhe mbetjet

Këto mbetje toksike janë mbetje industriale, të krijuara gjatë procesit teknologjik të kompanisë metalurgjike Kurum, dhe përmbajnë materiale që mund të jenë të rrezikshme për shëndetin publik dhe mjedisin.

Problemi është se nuk ka ende asnjë informacion të qartë për atë që do të ndodhë me mbetjet sapo të mbërrijnë në Durrës. Autoritetet nuk kanë treguar se ku do të shkarkohen, as se cili do të jetë destinacioni i tyre përfundimtar.

Banorët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile po kërkojnë transparencë dhe masa konkrete për të shmangur ndonjë dëm të mundshëm që këto mbetje mund të shkaktojnë. Ndërkohë, ata presin që institucionet përkatëse të veprojnë me përgjegjësi në lidhje me këtë çështje.

Kjo situatë ka ngritur pyetje të rëndësishme mbi sigurinë mjedisore dhe përgjegjësinë e autoriteteve për të mbrojtur qytetarët dhe natyrën nga çdo rrezik që mund të sjellin mbetjet industriale.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera