Mbrëmjen e sotme, një pallat në Lezhë është përfshirë nga flakët, duke krijuar panik mes banorëve.
Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një defekt elektrik në automatet e ndërtesës. Fatmirësisht, zjarrfikësit reaguan shpejt dhe arritën ta shuajnë zjarrin, por situata u bë sfiduese për shkak të tymit të dendur.
Gjatë operacionit për shuarjen e flakëve, tre zjarrfikës dhe një banor nga lagjja “Besëlidhja” u asfiksuan dhe u dërguan me urgjencë në spitalin e Lezhës për ndihmë mjekësore. Megjithëse janë jashtë rrezikut për jetën, prezenca e tymit brenda pallatit mbetet problematike dhe për shëndetin e banorëve të tjerë.
Në këto kushte, është këshilluar që banorët të mos kthehen ende në banesa, derisa situata të jetë plotësisht e sigurt dhe rreziku nga tymi të ketë kaluar.