Policia e Tiranës ka marrë njoftimin nga Partia Demokratike për tubimin që do të mbahet nesër në orën 17:00, ku pritet të ketë bllokim të disa rrugëve kryesore.
Protestuesit në kryeqytet do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës, pranë hyrjes në Tiranë.
PD ka informuar policinë se protesta do të zgjasë për 3 orë, por ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim në vendndodhje ose kohëzgjatje. Deri më tani, policia nuk ka ndonjë skenar për situata të tjera, në rast se protestuesit vendosin të zhvendosen në pika të tjera.
Liderët e PD-së kanë mobilizuar mbështetësit e tyre në qarqe për të organizuar “mosbindjen civile” në formën e bllokimit të rrethrrotullimeve kryesore në vend, sipas një njoftimi nga Gjekmarkaj. Bllokimet përfshijnë rrethrrotullimin e Casa Italia, Milotin, Shkozetin, rrethrrotullimin e Rrogozhinës, të Levanit dhe Bradasheshit, si dhe segmentin “Casa Italia – Sheshi Shqiponja.”
E gjithë policia në terren
Në terren do të ndodhet pothuajse e gjithë policia rrugore për të siguruar lëvizjen e automjeteve dhe për të parandaluar bllokimin e rrugëve. Gjithashtu, do të angazhohen forca të rendit si Shqiponja dhe FNSH për të siguruar rendin dhe qetësinë.
Policia ka informuar organizatorët se, ndërsa tubimi është një e drejtë e garantuar, bllokimi i rrugëve është i ndaluar dhe konsiderohet vepër penale.
Në këtë kohë të ngarkuar para zgjedhjeve parlamentare, opozita po përballet me sfida të mëdha, me dy liderë të saj nën hetim për korrupsion nga SPAK. Ilir Meta ndodhet në paraburgim, ndërsa Sali Berisha është nën masën e arrestit shtëpiak, në pritje të vendimit të GJKKO-së për dosjen e “Aferës Partizani,” që do të përcaktojë nëse dosja do të kthehet në SPAK, do të pushohet, apo do të kalojë për gjykim.