Apeli i GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për rigjykimin e çështjes së inceneratorit të Fierit.
Kjo vendimarrje e hap rrugën për rishikimin e procedurave të deritanishme, duke i dhënë mundësi drejtësisë të hetojë më thellë mbi akuzat e ngritura. Çështja e inceneratorëve ka ngjallur prej kohësh debat publik dhe kritikë të fortë, me akuzat për shkelje të ligjeve në proceset e dhënies dhe zbatimit të kontratave. Rigjykimi pritet të hedhë më shumë dritë mbi përgjegjësitë dhe të sqarojë nëse janë respektuar standardet dhe ligjet në këtë projekt të rëndësishëm për Fierin dhe rajonin përreth.
Ja kush është verdikti i GJKKO për këtë çështje:
Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për 21 personat e përfshirë në çështjen e inceneratorit të Fierit. Me gjykimin e shkurtuar, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dënua përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burg, ndërsa ish-deputeti socialist Alqi Bllako mori një dënim prej 2 vjetësh e 8 muajsh. Dënimin më të rëndë e mori sipërmarrësi Klodian Zoto, me 8 vjet burg për të paktën 6 akuza.
I pari dënim për inceneratorët
Ky vendim shënoi të parin për rastin e inceneratorëve, që përfshin hetime të veçanta për projekte në tre qytete të ndryshme të vendit. Ish-ministri Koka u shpall fajtor për “Shpërdorim të detyrës”, “Korrupsion” dhe “Pastrimi i parave” lidhur me projektin e Fierit. Gjykata e dënoi me 10 vite burg, por dënimi iu reduktua në 6 vjet e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ish-deputeti Bllako, i akuzuar për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsion” në dy raste, përfitoi jo vetëm nga ulja me një të tretën, por edhe nga rikualifikimi i akuzës për rolin e tij si nëpunës publik. Kështu, dënimi prej 4 vitesh u ul në 2 vjet e 8 muaj.
Sipërmarrësi Klodian Zoto, i cili përballet me 6 akuza, përfshirë korrupsionin, mashtrimin dhe pastrimin e parave, u dënua me 8 vjet burg, pas zbritjes prej 4 vitesh që ofron gjykimi i shkurtuar.
Dënime të ngjashme prej 4 vjetësh e 8 muaj u dhanë edhe për Loran Dushën, administrator i inceneratorit të Fierit, dhe Arbër Denizin, administrator i kompanisë PIVOT-04, të cilët u përfshinë në pastrim parash. Tre anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit do të vuajnë dënime prej 2 vjetësh, ndërsa për 4 të pandehur të tjerë dënimi me burg u konvertua në shërbim prove.
Gjykata gjithashtu shpalli të pafajshëm Arben Dervishajn, mbikëqyrësin e punimeve të inceneratorit, Arjola Kodrën, ish-administratoren e inceneratorit të Tiranës, dhe një administrator tjetër nga sektori privat.
Tanimë kjo çështje do të rigjykohet dhe dhe ashpërsia e dënimeve pritet të ulet nga gjykata.