Cilësia e punëkërkuesve është një sfidë e rëndësishme me të cilën po përballen sot punëdhënësit.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) shpall rreth 5500 vende të lira pune çdo muaj, por shumica e bizneseve po hasin vështirësi për të plotësuar këto pozicione.
“Çdo muaj shpallen 5500 vende të lira pune në portalin tonë, por përputhja e punëkërkuesve me kërkesat e bizneseve mbetet një nga sfidat tona kryesore,” u shpreh Klevis Hysa, drejtor i AKPA.
Nëpërmjet ndërmjetësimit të zyrës së punës, rreth 27 mijë persona punësohen çdo vit, ku pjesa më e madhe janë gra dhe vajza.
“Gjatë vitit, zyra e punës ka ndihmuar në ndërmjetësimin për rreth 27 mijë punëkërkues. Gjatë 8 muajve të fundit, kemi punësuar 12 mijë të papunë, dhe është vënë re një rritje e ndjeshme e grave dhe vajzave të integruara në tregun e punës – konkretisht, 12 mijë prej tyre,” tha Hysa.
Gjithashtu, përmes Garancisë Rinore, ky vit ka parë një angazhim të madh të të rinjve në punë, ku rreth 8 mijë prej tyre janë punësuar kryesisht në sektorët e turizmit, përpunimit dhe ndërtimit.
“Përmes Garancisë Rinore këtë vit janë regjistruar në tregun e punës 7800 të rinj, një rritje prej 14% nga viti i kaluar, veçanërisht në sektorët e shërbimeve, hoteleri-turizmit, ndërtimit dhe përpunimit.”
Gjithashtu, për të ndihmuar në uljen e numrit të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, AKPA ka ndërmjetësuar këtë vit për punësimin e 1600 anëtarëve nga këto familje.