NJVKSH Lushnje ka përmbyllur sot aktivitetet sensibilizuese në kuadër të Tetorit Rozë, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Që në orët e para të mëngjesit, punonjës të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Lushnje, së bashku me vajzat e promocionit dhe në bashkëpunim me Bashkinë Lushnje, kanë zhvilluar një aktivitet sensibilizues në Bulevardin e Kongresit.
Përmes një tende informuese, shpërndarjes së broshurave dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, mesazhi kryesor ishte kujdesi për shëndetin, kontrollet e rregullta dhe rëndësia e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Në këtë nismë u përfshinë edhe punonjëset e shërbimeve sociale, të cilat përcollën mesazhe ndërgjegjësuese për gratë dhe vajzat, duke theksuar se kujdesi për veten dhe kontrollet periodike mund të bëjnë diferencën.
Qytetarët që kalonin në bulevard u ndalën për të marrë broshurat informuese dhe për të dëgjuar këshillat e specialisteve, duke e kthyer këtë aktivitet në një mundësi komunikimi dhe ndërgjegjësimi për një çështje që prek jetën dhe shëndetin e shumë grave.