Qeset e holla plastike drejt ndalimit, ndërsa bizneset që prodhojnë, importojnë dhe tregtojnë produkte të ambalazhuara pritet të përballen me rregulla të reja për paketimin, etiketimin dhe menaxhimin e mbetjeve.
Projektvendimi i propozuar nga Ministria e Mjedisit, i hedhur për konsultim publik, synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian, duke kufizuar plastikën njëpërdorimëshe dhe rritur riciklimin.
Një nga masat kryesore është ndalimi i prodhimit, importimit, shpërndarjes dhe përdorimit në pikat e shitjes të qeseve plastike me trashësi më të vogël se 70 mikronë, me përjashtim të qeseve shumë të lehta të përcaktuara në projektvendim. Ndalimi përfshin edhe qeset oxo-degradueshme, pavarësisht trashësisë.
Për qeset me trashësi 70 mikronë ose më shumë, parashikohen kërkesa për qëndrueshmëri, ripërdorim dhe dokumentacion teknik. Ato nuk do të mund t’u ofrohen konsumatorëve falas. Çmimi duhet të jetë i dukshëm dhe të evidentohet veçmas në dokumentin fiskal, kur kjo është teknikisht e mundur.
Projektvendimi synon gjithashtu të kufizojë ambalazhet e tepërta, paketimet e dyfishta dhe hapësirat e panevojshme në kuti, duke nxitur përdorimin e materialeve më të lehta për riciklim dhe ambalazheve të kthyeshme.
Një tjetër masë është ngritja e sistemit depozitë-rimbursimi për ambalazhet njëpërdorimëshe të pijeve. Konsumatorët do të paguajnë një depozitë gjatë blerjes, e cila do t’u kthehet pas dorëzimit të ambalazhit bosh në pikat e autorizuara. Shuma konkrete e depozitës nuk përcaktohet në pjesën e përgjithshme të dokumentit.
Ndryshimet forcojnë edhe përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, i cili do të duhet të kontribuojë në grumbullimin, transportin, klasifikimin dhe trajtimin e mbetjeve.
Parashikohen gjithashtu regjistrimi i subjekteve përpara hedhjes së ambalazheve në treg, pajisja me numër unik regjistrimi dhe raportimi elektronik i llojit, peshës dhe sasisë së tyre.
Projektvendimi është ende në fazën e konsultimit dhe synon të rrisë përgjegjësinë e bizneseve, të ulë mbetjet plastike dhe të nxisë riciklimin në Shqipëri.