Në palestrën e shkollës “Foto Puka”, shkollat e qytetit të Lushnjës, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve, zhvilluan finalen e Kampionatit të Volejbollit për vajza dhe djem, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave 9-vjeçare të ZVAP Lushnjë.
Pas ndeshjeve të forta dhe me rivalitet, u shpallën edhe ekipet fituese:
Për vajzat, shkolla “Rako S. Gjermeni”, Krutje;
Për djemtë, shkolla “Foto Puka”.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe drejtoresha e Zyrës Arsimore Lushnjë, znj. Arta Dhamo, e cila në fjalën e saj falënderoi të gjithë nxënësit pjesëmarrës, mësuesit e Edukimit Fizik dhe drejtuesit e shkollave, duke iu uruar suksese në aktivitetet e radhës.
Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e sportit në shkolla, si një element kyç për edukimin dhe formimin e të rinjve.
Atmosfera në palestër ishte mjaft e ngrohtë dhe plot emocion gjatë gjithë ndeshjeve finale.
Të pranishmit duartrokitën ekipet për garën e ndershme dhe shpirtin sportiv të treguar.
Ky kampionat u konsiderua një sukses dhe një nxitje për aktivitete të tjera sportive në të ardhmen.
Në përfundim, nxënësit dhe ekipet fituese u pajisën me certifikata, duke e kthyer këtë aktivitet në një festë të bukur sportive për të rinjtë.