Ndryshojnë rregullat për legalizimin e banesave pa leje të ndërtuara mbi tokën e të tjerëve.

Qeveria propozon një formulë të re për banesat që ndodhen tërësisht mbi truall privat dhe në zona ku planet e territorit parashikojnë ndërtime mbi 6 kate.

Sipas projektligjit, këto banesa mund të legalizohen, por me një kusht të rëndësishëm: legalizohet ndërtesa, jo trualli.

Kjo do të thotë se poseduesi fiton të drejtën për regjistrimin e banesës, por jo pronësinë mbi tokën ku ajo është ndërtuar.

Përpara legalizimit, kërkohet edhe një deklaratë noteriale. Poseduesi duhet të pranojë se, në momentin kur parcela të zhvillohet nga pronari ose një investitor, sipërfaqja që do të përfitojë në godinën e re do të përcaktohet përmes një marrëveshjeje noteriale.

Pra, nuk ka një sipërfaqe të përcaktuar automatikisht.

Nëse palët nuk bien dakord, poseduesi do të trajtohet sipas normave të strehimit të parashikuara për familjet e pastreha.

Ndërkohë, refuzimi për të bërë deklaratën noteriale sjell përjashtimin e objektit nga procesi i legalizimit.

Pas regjistrimit, në kartelën e pasurisë do të vendoset një shënim deri në zgjidhjen përfundimtare të marrëdhënies me truallin.

Por ndryshimi nuk vlen për çdo ndërtim pa leje. Jashtë këtij mekanizmi mbeten shtesat pa leje në ndërtime të regjistruara, objektet me shkelje të lejes së ndërtimit dhe ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik.

Ndërsa për banesat që nuk kanë dalje në rrugë publike, parashikohet edhe e drejta e servitutit të kalimit.

Një formulë e re, që synon të zgjidhë një prej problematikave më të ndërlikuara të legalizimeve: ndërtesa mund të legalizohet, por toka mbetet e pronarit të saj.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033