FESTIVALI “NETËT E BEJKËS SË BARDHË” – POLIFONIA SHQIPTARE, TRASHËGIMI QË JETON

Ditët ecin mbi supet e erës, ndërsa isoja e këngës vëndçe ngrihet në qiell. Në Pilur të Himarës, më 11 dhe 12 shtator, u zhvillua edicioni i shtatë i Festivalit Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, një festë e këngës polifonike shqiptare, traditës dhe trashëgimisë sonë kulturore.

Për dy net me radhë, Piluri u kthye në një skenë të madhe të folklorit shqiptar. Rreth 20 grupe dhe artistë, këngëtarë, valltarë, fyelltarë e logatës, sollën para publikut pasurinë e këngës vëndçe dhe motivet e thella shpirtërore të traditës.

Në majën e Pilurit, aty ku toka dhe qiellorja duket sikur takohen, kënga mori një tjetër dimension. Isoja e polifonisë, zërat e këngëtarëve dhe tingujt e instrumenteve krijuan një atmosferë të veçantë, duke përcjellë brez pas brezi një trashëgimi që mbetet një nga pasuritë më të çmuara të kulturës shqiptare.

Festivali u ndoq nga një numër i madh qytetarësh dhe artdashësish, të cilët për dy net u bënë pjesë e kësaj feste të madhe të këngës dhe folklorit. Përmes muzikës, kërcimit dhe vargjeve të këngës vëndçe, u përcollën histori, emocione dhe një traditë që vazhdon të jetojë në kohë.

Në përfundim të festivalit, një juri e ngritur enkas, me specialistë të artit dhe kulturës, vlerësoi dhe certifikoi grupet, këngëtarët dhe individët pjesëmarrës, duke nderuar kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e folklorit shqiptar.

“Netët e Bejkës së Bardhë” mbylli edicionin e shtatë, por jo këngën. Ajo mbetet në zërat e artistëve, në iso, në kujtesën e publikut dhe mbi të gjitha, në trashëgiminë që do t’u përcillet brezave.

Sepse kënga vëndçe nuk është vetëm një tingull që dëgjohet; është një histori, një shpirt dhe një identitet që vazhdon të këndojë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033