Vijëzime të reja dhe më shumë siguri për fëmijët pranë institucioneve arsimore në Kuçovë.
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, kanë përfunduar punimet për përmirësimin e sinjalistikës rrugore pranë shkollave dhe kopshteve, me fokus të veçantë te kalimet e këmbësorëve.
Një kompani private ka realizuar gjatë ditëve të fundit vijëzimin e akseve rrugore dhe të kalimeve të këmbësorëve, duke krijuar një mjedis më të sigurt për nxënësit, fëmijët dhe prindërit që lëvizin pranë institucioneve arsimore.
Mesazhi është i qartë: kujdes dhe respekt për këmbësorët, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.
Drejtuesit e mjeteve duhet të ulin shpejtësinë dhe të tregojnë vëmendje të shtuar në zonat e shkollave dhe kopshteve, ndërsa kalimi në vijat e bardha është një e drejtë e këmbësorëve dhe duhet respektuar.
Këto masa janë ndërmarrë nën kujdesin e Bashkisë Kuçovë, kryebashkiakut Kreshnik Hajdari dhe Drejtorisë Arsimore pranë Bashkisë, në kuadër për një nisje sa më të sigurt të vitit të ri arsimor.
Bashkia Kuçovë vijon punën për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve pranë institucioneve arsimore, në mënyrë që fëmijët të kenë jo vetëm ambiente bashkëkohore, por edhe rrugë më të sigurta për të mbërritur në shkollë.
Në fokus mbetet bashkëpunimi i institucioneve dhe ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Me një objektiv të përbashkët: një nisje të sigurt të vitit shkollor dhe më shumë mbrojtje për fëmijët e Kuçovës.