ÇMIMET E USHQIMEVE MBI MESATAREN EUROPIANE, TË ARDHURAT SHUMË MË TË ULËTA.

Çmimet e ushqimeve vijojnë të rëndojnë xhepat e shqiptarëve, ndërsa të ardhurat për frymë mbeten ndjeshëm më të ulëta se mesatarja europiane.

Shqipëria po përballet me një paradoks të fortë ekonomik: ushqimet kushtojnë shtrenjtë, ndërsa fuqia blerëse e qytetarëve mbetet e ulët.

Dobësimi i prodhimit vendas dhe varësia e lartë nga importet janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e kostove. Në këtë zinxhir shtohen edhe TVSH-ja prej 20 për qind, çmimet e karburanteve, transporti dhe kostot e logjistikës.

Edhe pse çmimet mesatare të disa produkteve ushqimore të importuara kanë shënuar ulje në tregjet ndërkombëtare, kjo rënie nuk është reflektuar në të njëjtën masë te konsumatori shqiptar.

Në fund të zinxhirit është qytetari, i cili për të njëjtën shportë ushqimore shpenzon një pjesë më të madhe të të ardhurave krahasuar me qytetarët e vendeve europiane.

Ekspertët nënvizojnë se përballimi i kësaj situate kërkon masa konkrete, duke nisur nga rishikimi i normave të TVSH-së për produktet bazë, kufizimi i përkohshëm i marzheve në raste të caktuara dhe mbështetja më e madhe për fermerët dhe prodhimin vendas.

Forcimi i prodhimit vendas do të ulte varësinë nga importet dhe do të krijonte më shumë mundësi për një treg më konkurrues.

Ndërsa çmimet mbeten të larta dhe të ardhurat të kufizuara, sfida mbetet e njëjtë: si të bëhet shporta ushqimore më e përballueshme për familjet shqiptare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033