Në Lushnje ka nisur sot dita e parë e shkollës dhe bashkë me të edhe viti i ri arsimor 2026–2027.
Dyert e shkollave janë hapur për të mirëpritur nxënësit, prindërit dhe mësuesit, në një ditë të mbushur me entuziazëm, emocione dhe dëshirën për një vit sa më të suksesshëm.
“Mirë se vini në vitin e ri shkollor!” – ishte urimi që priti nxënësit në ambientet e shkollave, ndërsa kjo ditë e veçantë iu kushtua mirëpritjes, njohjes me mjediset shkollore dhe bashkëbisedimit me mësuesit.
Për vogëlushët e klasave të para, kjo është një ditë edhe më e veçantë. Për ta nis sot një nga udhëtimet më të bukura të jetës – udhëtimi drejt dijes, ku hapat e parë shoqërohen me shkronjat e para të ABC-së, miqësi të reja dhe shumë ëndrra.
Prindërit kanë shoqëruar fëmijët në ditën e tyre të parë, ndërsa emocionet janë përcjellë edhe përmes buqetave me lule, dhuratë simbolike për mësuesit që do t’i udhëheqin gjatë këtij viti shkollor.
Kjo ditë e parë do të shoqërohet me aktivitete edukative, njohëse dhe argëtuese, me synimin që viti i ri të nisë në një atmosferë të gëzueshme, të qetë dhe miqësore.
Në këtë nisje të re, urimi është i njëjtë për të gjithë: buzëqeshje, pozitivitet, dije dhe sa më shumë suksese!
Por në këtë ditë të parë të shkollës nuk ka munguar as siguria. Efektivët e Policisë së Shtetit dhe të Policisë Bashkiake kanë qenë të pranishëm pranë shkollave, duke garantuar sigurinë e nxënësve, veçanërisht në kalimet në vijat e bardha, si dhe duke sistemuar trafikun në rrugët pranë institucioneve arsimore.
Ndërkohë, gjimnazistët janë rikthyer në bankat e shkollës dhe kanë nisur vitin e ri arsimor. Në gjimnazin “18 Tetori”, drejtori Leonard Greku përcolli një mesazh urimi për nxënësit dhe mësuesit, në këtë ditë të parë të vitit të ri shkollor.