Ndihmonte refugjatët të kalonin nga Greqia në Shqipëri, arrestohet siriani në Korçë

Policia Kufitare e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Lugina 2”, duke goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të kalimit të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë Muhamed Hamad, një 18-vjeçar sirian, i cili u kap gjatë natës në fshatin Vidohovë, duke shoqëruar gjashtë emigrantë nga Egjipti dhe Siria, katër prej të cilëve ishin të mitur. Ky shtetas dyshohet se ka organizuar kalime të paligjshme nga Greqia drejt Shqipërisë dhe më pas drejt Malit të Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.

Hetimet, të cilat ishin zhvilluar për disa muaj, janë realizuar nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe Prokurorinë e Korçës. Ato bazoheshin në inteligjencën policore dhe kanë nxjerrë në pah veprimtarinë e tij kriminale.

Sipas hetimeve, Muhamed Hamad ishte përfshirë në disa raste të mëparshme, ku emigrantët janë kapur nga policia gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Ky operacion është një tjetër goditje ndaj këtij fenomeni, që ka shqetësuar sigurinë e kufijve të vendit.

Policia po vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të Muhamed Hamad dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të kalimeve të paligjshme. Materialet përkatëse janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme ligjore.

Ndaj Postimin: