Koalicioni i të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet” mbledh qindra banorë të Kamzës për të prezantuar kandidatë dhe platformat e zhvillimit.
Pasditen e së hënës, koalicioni i të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet” organizoi një aktivitet në Kamzë ku u prezantuan kandidatët për Qarkun e Tiranës. Atmosfera ishte entuziaste, dhe kandidatët shpalosën platformat e tyre për zhvillimin dhe modernizimin e komunitetit, duke kërkuar mbështetje për numrin 6 në zgjedhjet e 11 Majit.
Endrit Shabani, kryetari i koalicionit për Tiranën, theksoi se shqiptarët nuk duhet të lejojnë më politikanët e vjetër t’i gënjejnë. Ai apeloi për një ndryshim të thellë në politikë dhe për refuzimin e premtimeve të pa realizuara që janë bërë për dekada. “Gjatë takimeve në Kamëz pashë qytetarë që nuk kanë më frikë, por edhe të zhgënjyer. Ky vend është drejtuar për shumë vite nga dy politikanët kryesorë, Rama dhe Berisha, njëherë njëri dhe njëherë tjetri. Ne jemi këtu me ju, ndërsa ata jetojnë në luks. Kur ata të kërkojnë votën tuaj, përgjigjuni me një JO të fortë”, tha Shabani. Ai shtoi se banorët nuk duhet të besojnë më premtimet për legalizime, ujë të pijshëm dhe rrugë, duke i inkurajuar ata të mos i hapin derën apo telefonin kur politikanët vijnë.
Panajot Soko, nënkryetar i koalicionit, u ndal te situata e mësuesve dhe mjekëve, të cilët, sipas tij, po jetojnë në kushte të vështira për shkak të një sistemi të padrejtë. “Si është e mundur që një mësues, mjek ose pensionist të mos mund të mbijetojë me atë që merr? Ata që udhëhoqën këtë vend për shumë vite e dinë se si është e vërteta, por duan që shqiptarët të mbeten të varur, në mënyrë që t’i marrin votën për shërbime të pa realizuara”, tha Soko. Ai theksoi se ka ardhur koha që të rinjtë të marrin drejtimin dhe t’i japin fund këtij sistemi që mbajti shqiptarët të prapambetur.
Adriatik Lapaj, kryetar i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, denoncoi politikat e vjetra të partive të mëdha, duke thënë se ato vazhdojnë të rrotullojnë kandidatët nga një qark në tjetrin për të gënjyer shqiptarët. “11 maji nuk është një ditë zgjedhjesh, por një referendum. Po të ishin zgjedhje, do të flisnim për ide. Ata flasin për çështje të padobishme si bufa, UFO dhe minj, ndërsa ne flasim për një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Lapaj. Ai shtoi se koalicioni i të rinjve synon të shembë sistemin e mbyllur të listave dhe të hapë një garë të vërtetë për drejtimin e vendit.
Ky aktivitet në Kamzë shënon një moment të rëndësishëm për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe është një hap më afër realizimit të platformës së tij për ndryshim dhe përfshirje të brezit të ri në politikë.