Kadastra e Vlorës është mbyllur përfundimisht mëngjesin e sotëm, pas hyrjes në fuqi të urdhrit për transferimin e strukturës drejt Tiranës. Vendimi është zbatuar pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga punonjësit dhe qytetarët.
Sipas informacioneve, një pjesë e stafit është zhvendosur sot në Tiranë, ndërsa punonjës të tjerë janë transferuar në Fier. Burimet bëjnë me dije se punonjësit që nuk kanë pranuar asnjërën nga këto dy mundësi do të largohen nga puna.
Në ambientet e institucionit ndodhen ende disa punonjës, të cilët po kryejnë procedurat e fundit administrative dhe përgatitjen e dosjeve për transferim drejt Tiranës.
Me këtë proces, përfundon zyrtarisht funksionimi i Kadastrës së Vlorës si strukturë më vete, duke shënuar mbylljen e një institucioni që ka pasur rol kyç në shërbimet për qytetarët e këtij qarku.