Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të kërkojë 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Universiteti i Harvardit, në një kohë kur konflikti mes administratës së tij dhe institucionit akademik vijon të thellohet.
Ky zhvillim vjen pas raportimeve se administrata presidenciale është tërhequr nga kërkesa fillestare për një pagesë prej 200 milionë dollarësh gjatë negociatave me universitetin.
Zyrtarë të administratës Trump e kanë akuzuar Harvardin se nuk ka vepruar mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin gjatë protestave pro-palestineze të zhvilluara në kampus. Universiteti i ka hedhur poshtë këto akuza.
Harvardi është kthyer në një nga objektivat kryesore të fushatës së Shtëpisë së Bardhë kundër asaj që konsiderohet si ideologji “woke” dhe “e majtë radikale” në universitetet amerikane.
Në prill të vitit të kaluar, administrata Trump revokoi rreth 2 miliardë dollarë grante kërkimore për Harvardin dhe ngriu fondet federale për institucionin.
Në përgjigje, Universiteti i Harvardit paditi administratën Trump, duke argumentuar se asnjë qeveri nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë mund të pranojnë dhe punësojnë, apo cilat fusha studimi mund të ndjekin.