Maliq – Nis spërkatja nga ajri për dëmtuesin që preku mbi 50 hektarë me misër.

Maliq – Nis spërkatja nga ajri për dëmtuesin që preku mbi 50 hektarë me misër.

Ka nisur në Bashkinë Maliq ndërhyrja nga ajri për luftimin e dëmtuesit që ka prekur mbi 50 hektarë të mbjellë me misër. Aksioni po zhvillohet pas konstatimit të pranisë së rrënjëngrënësit, një insekt që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa parcela bujqësore.

Sipas fermerëve, dëmtuesi ka qenë i pranishëm prej javësh dhe në një pjesë të sipërfaqeve të prekura dëmi në prodhim ka arritur deri në 100 për qind, pasi insekti ka dëmtuar sistemin rrënjor të bimëve.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si edhe specialistët e Bashkisë Maliq, po kryen spërkatje nga ajri në zonat e prekura, me synim kufizimin e përhapjes së dëmtuesit dhe mbrojtjen e sipërfaqeve të tjera të kultivuara.

Megjithatë, fermerët shprehen se ndërhyrja ka ardhur me vonesë, pasi dëmet në parcelat e prekura janë tashmë të pakthyeshme. Ata kërkojnë nga institucionet përgjegjëse një vlerësim zyrtar të dëmeve dhe sqarim nëse do të ketë skemë kompensimi për humbjet e pësuara.

Mbetet për t’u parë nëse, krahas masave për frenimin e përhapjes së dëmtuesit, institucionet do të ndërmarrin edhe masa konkrete për mbështetjen financiare të fermerëve të prekur.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033